Sa herë ka patur zgjedhje kryebashkiakët që më pas morën detyrën në Shkoder e premtuan ndërtimin e një terminali udhëtarësh, por deri më sot gjithçka mbeti në kuadrin e fjalëve, e projekteve në letër.
Largimi nga sheshi përpara pallatit të sportit, ka bërë që drejtuesit e autobusëve të linjave ndërqytetase të kërkojnë një vend tjetër qendrimi, edhe ky i papërcaktuar nga pushteti vendor por sipas dëshirës së tyre. Duke mos ju larguar shumë metra vendit ku ishin më herët, ato kanë zgjedhur të stacionojnë autobusët përpara drejtorisë së shendetit publik, në mes të rrugës. Aty presin orarin e përcaktuar për nisje, më pas i afrohen sheshit përpara radio Shkodres aty ku ndodh edhe mbushja me udhëtarë për të shkuar në destinacionin e përcaktuar. Sorrollatje, kaos në trafik dhe ç’orientim i udhëtarëve ky është fati i tyre çdo ditë në Shkoder për shkak të mungesës së një terminali siç e ka çdo qytet europian.
Edhe më e rëndë bëhet situata në zemër të qytetit, pranë sheshit “Nënë Tereza”, atu ku ndalohen autobusët që vijnë nga Italia, si dhe mjetet me turistë. Trafiku ç’orientohet për minuta të tëra, ndërsa imazhi që përcillet tek cdo turist apo vizitor në Shkoder, është mëse i shëmtuar. Bashkia Shkoder nuk është në gjendje të ndërtojë një terminal të mirëfilltë udhëtarësh, ndërsa të gjitha këto mjete paguajnë taksat rregullisht, e madje janë të detyruar që shpesh të përballen edhe me gjoba të policisë rrugore pasi lëvizja në këto akse krijon kaos në lëvizje. Edhe për këtë vit gjasat që një investim i tillë të nisë janë të pakta, e me premtimet boshe që Shkodranët janë mësuar në gjithë këto vite, nuk dihet nëse dita e ndërtimit të një terminali do të jetë e afërt. Mirësevini në qytetin e kaosit…