E ka pagëzuar “memoriet e trupit” dhe zgjodhi Shkodrën për të prezantuar për herë të parë për publikun Shqiptar një grup punimesh të krijuara gjatë veprimtarisë së tij artistike, artisti Anri Sala, një ndër më të vlerësuarit e skenës ndërkombëtare të artit bashkëkohor.
Publikut të përzgjedhur, ku spikaten emra të njohur të artit Shkodran ju bashkua edhe ministrja e Kultures Mirela Kumbaro, ndërsa biseda e artistit u përqëndrua në interesin për gjestin, shprehitë koreografike dhe lëvizjet trupore.
I lindur në vitin 1974 në Tiranë, Anri Sala aktualisht jeton dhe punon në Berlin. Ekspozitat e tij kanë prekur shtete të ndryshme të botës, nga Amerika e largët tek muzetë më të njohura europiane.