35 vite burg ka dhënë gjykata e shkallës së parë në Shkoder për 31 vjeçarin Aleksander Dushaj, i akuzuar për vrasjen e dy vellezerve Skender dhe Abdullah Shkami, në 2 janar të këtij viti në fshatin Postribë. Përpara trupës gjykuese Dushaj shprehu keqardhje për ngjarjen duke kërkuar mëshirë, por në përmbyllje të gjykimit gjykata e shpalli fajtor duke e dënuar me burgim përjetë për veprat penale të “Vrasje me paramendim e kryer në rrethana cilësuese” dhe “armëmbajtje pa leje”, por që në aplikimin e gjykimit të shkurtuar dënimi u ul në 1/3, e përkthyer në 35 vite burg.
Në pretencën e tij, përfaqësuesi i organit të akuzës kërkoi shpalljen fajtor të Aleksandër Dushajt dhe dënimin me burgim përjetë. Ndërsa avokati mbrojtës Albert Keraj e cilësoi kërkesën e prokurorisë si abuzive pasi sipas tij i dyshuari për vrasje ka qënë në rrethana të gjykimit të shkurtuar. Gjithashtu ai renditi rrethanat cilësuese në favor të klientit si: vrasja nuk është kryer me paramendim por pas një konflikti të çastit, Dushaj është vetëdorëzuar në polici, ka bashkëpunuar me drejtësinë dhe ka shfaqur pendese duke kërkuar mëshirë. Në fund të seancës gjyqësore, togat e zeza kanë vendosur që ta deklarojnë fajtor 31 vjecarin i cili do të vuajë dënimin prej 35 vitesh burg. Palët ndaj këtij vendimi mund të ankimojnë brenda 10 ditësh në gjykatën e apelit në Shkoder. Vrasja që tronditi këtë fillim viti fshatin Drisht të Postribës erdhi për shkak të mos pranimit të krushqisë mes viktimave dhe të riut, i cili kërkonte vajzën e Skenderit për bashkëshorte.