Kur ka mbetur më pak se një muaj nga nisja zyrtarisht e vitit të ri shkollor 2016 – 2017, bashkia Shkoder ka nisur punën për rikonstruksionin e disa shkollave. I gjithë proçesi i punës është ndarë në disa faza, por i bazuar në 2 kritere: kërkesat për ndërhyrje të bëra nga inspektoriati i higjenës dhe nga vetë drejtoritë e shkollave. Përgjegjësi i zyrës arsimore në bashki Ludovik Vuka pranon se nga 104 institucionet arsimore që ka detyrim bashkia të ndërhyjë, janë zgjedhur ato ku gjendja ishte më problematike, pasi fonde për të gjitha nuk ka.
Në shkollat ku po kryhen investime, ngrohja po mundësohet me impjant qëndror. Por edhe sivjet pjesa me e madhe e tyre burim kryesor kanë gazin dhe lëndën drusore. Për këtë të fundit çmimi me hyrjen në fuqi të moratoriumit ka njohur rritje, por Vuka thotë se sasia do të sigurohet.
Edhe për sigurinë në shkolla po punohet me vendosjen e kamerave, por fondi sërish është i limituar.
Qeveria shqiptare këtë vit nuk ka qënë partnere me bashkinë në investime, sa i përket godinave arsimore në Shkoder. Megjithatë ky vit i ri shkollor rrezikon disa institucione, që nga amortizimi mund të mos çelin dyert. Bashkia po punon në këtë drejtim edhe me drejtorinë arsimore, që edhe aty ku ka pak nxënës të shihet si alternative mbyllja për shkak të kostos së lartë të mirembajtjes.