Më pak se 72 orë i kanë mbetur në dispozicion stafit drejtues të Vllaznisë për blerjet e reja, deri në mbylljen zyrtare të merkatos së veres. Deri më tani kuqeblutë kanë bërë 8 afrime, por ajo që vijon të mbetet dëshirë e paplotësuar për trajnerin Armando Cungu është reparti i sulmit, ku prej javësh është në kërkim të një emri cilësor. Por sikur të mos mjaftonte ky shqetësim, gjatë stervitjes në Beranje të Malit të Zi, portjeri Agoviç mësohet se është dëmtuar në shtyllën kurrizore, duke zhvilluar prej ditësh stërvitje të diferencuar. Ai nuk ka patur rikuperim të mirë thonë drejtues të stafit mjekësor të Vllaznisë, e madje rrezikon seriozisht aktivizimin në sezonin e ri, për shkak të shqetësimeve shendetesore. Ai do të kryeje disa kontrolle në Mal të Zi, për të marrë më pas përgjigjen përfundimtare se sa do të qëndrojë larg fushës. Me dëmtimin e tij dhe largimin që pati pak kohë më parë i riu Sherri, Vllaznia ka në dispozicion vetëm Erind Selimaj për portën. Në repartin e mbrojtjes gjërat duken më mirë, ku përveç Gocajt e Markut, alternativa janë edhe Gurishta e Manuka që pritet të bëhet zyrtarisht lojtar i shkodranëve. Qendra vë në garë Bicajn – Vrapin dhe Cicmil e Pjeshken, ku njeri do të mbesë në stol. Për një vend në formacion, luftë e fortë bëhet edhe në mesfushë mes Bardulles, Krymit, Shtubinës, Hoxhës, Krujës, Dyces, Kapaklise, Tafilit dhe Vecajt. Çinari, Erkocevic, Hebaj, Dibra dhe Pepa janë emrat e disponueshem për sulmin, por orët e mbetura janë shpresa e fundit që Cungu të realizojë blerjen e kërkuar. Sinjalet nuk janë shumë pozitive, pasi alternativat mungojnë dhe fondi në dispozicion nuk është shumë i madh që si ekipet e tjera të superligës, Vllaznia të godasë në merkato.