Kryeministri Rama ka deklaruar se aksi rrugor Reps-Gjegjan-Fushë Arrëz është në planet e qeverisë për t’u rikonstruktuar. Numri nje i qeverise beri me dije se se për momentin po kryhet studimi i fizibilitetit të kësaj rrugë dhe më pas do të nisë puna për transformimin e saj. Rama nuk përmendi një datë se kur mund të nisin punimet për rikonstruksionin e këtij aksi, por lajmi i mirë është që edhe kjo rrugë do të rikonstruktohet. Rruga Reps-Gjegjan-Fushë Arrëz, që dikur ishte arteria e vetme që lidhte Shqipërinë me Kosovën, është tërësisht e amortizuar. Me ndërtimin e “Rrugës së Kombit”, ky aks u la tërësisht në harresë. Kryeministri deklaroi gjithashtu se të gjithë punonjësit e firmës turke që operon në Pukë dhe Fushë-Arrëz, do të paguhen nga firma deri në rifillimin e punës, megjithëse nuk tha se kur mund të rinisë sërish aktivitetin e saj kompania. Kompania e cila ka ushtruar aktivitetin e saj në Malin e Munellës, në njësinë administrative Gjegjan të bashkisë Pukë dhe bashkinë Fushë-Arrës, ka pezulluar punën prej dy vitesh. Kompania turke e përpunimit të bakrit ka pezulluar punën për shkak të rënies së çmimit të bakrit në tregjet botërore, megjithëse ajo deklaron se nuk e ka mbyllur aktivitetin e saj dhe do të rinisë sërish punën.