Vetëdorëzohet tek forcat e policisë dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë, 31 vjeçari Luvigj Bludaj njeri prej autorëve të dyshuar të vrasjes së të afërmit të tij Gjok Arra në Plan të Dukagjinit mengjesin e 15 shtatorit. Pasi ishte lokalizuar se ku fshihej që pas krimit të kryer në bashkëpunim me të vëllanë, forcat policore rrethuan fillimisht vendin dhe me pas nisen negociatat me te riun. U deshen disa orë që ai të bindej për t’u vetëdorëzuar, ndërsa më parë mësohet t’u ketë kërkuar siguri për jetën efektivëve, me qëllim që ata të mos qëllonin me armë në drejtim të tij. Pasi u vu në pranga në zonën e Dukagjinit, Bludajt ju gjet arma e krimit pistoletë TT me karikatore me 5 fishekë, e cila do të shërbejë si provë materiale për dokumentimin e vrasjes. I riu mësohet se ka qënë i vetëm, ndërsa i vëllai Çesk Bludaj dyshohet se është fshehur në një tjetë zonë të Dukagjinit, për të cilin policia ende po vijon kërkimet. Bludaj është pyetur, por mësohet t’u ketë thënë efektivëve se nuk ka dijeni se ku ndodhet i vëllai, pasi prej momentin kur ka ndodhur ngjarja, sipas tij ata nuk janë takuar më. Ndaj tij rëndojnë akuzat “Vrasje me dashje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve”, për të cilat do të dalë përpara trupës gjykuese. Dyshohet se autor i vrasjes së Gjok Arrës të jetë vetë Luvigj Bludaj, ndërsa i vëllai ka asistuar në krim, megjithatë do të jetë dëshmia e vetë të riut dhe hetimet përfundimtare që do të nxjerrin versionin final të ngjarjes. Konflikti për pronën kishte qënë i hershëm mes tyre dhe gjithçka degjeneroi në 15 shtator kur pasi kishin konsumuar pije alkoolike në shoqërinë e njeri – tjetrit, autorët e dyshuar dhe viktima janë konfliktuar duke shkuar deri në përdorimin e armës.