Dy aksidente me 4 të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë u shënuan brenda harkut kohor të 30 minutave në aksin rrugor Shkoder – Velipojë. Fillimisht ka qënë ora 14.00 kur në fshatin Trush një automjet tip Wolksvagen me targë AA437 OA doli nga rruga duke përfunduar në kanalin anësor. Dy shtetasit që udhëtonin në të mbeten të plagosur dhe u dërguan me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodres për marrjen e ndihmës mjekësore. Lendimet e marra kanë qënë të lehta dhe ata ndodhen jashtë rreziku për jetën. Policia e cila mbërriti në vendngjarje nisi hetimet dhe bën me dije se shkak dyshohet të ketë qënë humbja e kontrollit si pasojë e lagështirës në rrugë. Ndërkohë pak kilometra larg aksidentit të parë, një tjetër mjet tip Golf me targë AA 193 OT duke tentuar t’i shmangej kafshëve që po lëviznin në rrugën e automjeteve, si pasojë e shpejtësisë dhe lagështirës nuk arriti të frenojë në kohë dhe u përplas me bordurën anësore tek Ura e Gjo Lulit. Goditja e fortë bëri që mjeti të rrokulliset disa herë dhe të përfundojë i përmbysur në rrugë, duke i shkaktuar dëmtime të forta dy të rinjve që udhëtonin në të. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë shendetesore ne reanimacionin e spitalit rajonal të Shkodres. Segmenti Shkoder – Velipojë mbetet një nga më problematikët sa i përket qarkut të Shkodres, i listuar nga ARRSH edhe si një prej njollave të zeza në hartën e rrugëve të veriut.