Arrestimi i 4 shtetasve të akuzuar për rekrutim luftëtarësh krah ISIS, mes të cilëve 2 nga Shkodra, ka sjellë reagimin e myftiut të këtij qyteti imam Muhamed Sytarit. Në profilin e tij në facebook, ai shprehet se dikush u përpoq të bënte kurban të pistë, emrin “musliman” dhe shpirtin e madh të harmonisë kombëtare dhe asaj të ndjesisë fetare në Shkodër.
“…ndjeva neveri të madhe, teksa lexoja ca lajme kontradiktore e krejtësisht dashakeqe, që mbjellin urrejtje dhe krijojnë hendeqe sociale të padëshirueshme… Këto lloj lajmesh, që përpiqen të bëjnë kurban emrin “musliman”, në një qytet si Shkodra, aq më tepër, kur ky emër vihet përballë një ceremonie të shumëpritur për një komunitet të krishterë, (përtej krejt alibive, të vërtetave dhe të pavërtetave, prapaskenave, skenareve e rrjedhojave, për të cilat as që dua të flas e të merrem me to në këto rreshta, se nuk janë pjesë e punës dhe misionit tim), në këtë ditë, më ngjan me dëshminë e Hafiz Musa Dërgutit, rahmet pastë… Sot, fatkeqësisht, dikush u përpoq të bënte kurban të pistë, emrin “musliman” dhe SHPIRTIN e madh të harmonisë kombëtare dhe asaj të ndjesisë fetare në Shkodër! Sot, dikush, u përpoq të luante nga vendi eshtra të vdekurish, ndjenja të gjallësh, mure të pashkatërrueshme godinash, që së bashku formojnë HARMONINË E SHENJTË KOMBËTARE tek ne shqiptarët!”
Policia e shtetit vuri ne pranga 4 persona ndërsa mbi 20 të tjerë u shoqëruan, nga të cilët 5 të huaj nga Kosova dhe Maqedonia dhe 15 shqiptarë. Arrestimet u bënë pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetas të tjerë jashtë vendit, propagandonin nxitjen e urrejtjes, bënin rekrutimin e personave për të shkuar në Siri.