Prurjet e shumta të lumit Drin dhe gërryerjet që ai ka shkaktuar në tokat bujqësore, kanë vënë në rrezik 24 orët e fundit një prej shtyllave të tensionit të lartë, e cila furnizon një pjesë të qytetit të Shkodres me energji elektrike.
Kjo shtyllë e pozicionuar në vendin e quajtur “Mali i Vukatanës” në njësinë administrative të Gurit të Zi ndodhet në mes të rrjedhës së Drinit, duke rrezikuar rrëzimin e saj. Përballë kësaj situate, prefekti Paulin Radovani dhe drejtuesit e operatorit të sistemit të transmetimit kanë parë nga afër gjendjen, ku po analizohet edhe mundësia e ndërhyrjes. Dy janë variantet, ose mbushja e zonës përreth shtyllës me gurë për të frenuar gërryerjen, ose zhvendosja e saj.
Në pjesën tjetër të qarkut, situata ka njohur përmirësime në pjesën më të madhe, me përjashtim të Obotit ku rruga ka sërish prezencë uji. Një mjet i ushtrisë ndodhet në zonë për të kryer lëvizjen e banorëve, ndërsa në disa fshatra mungon energjia.