Shkodra listohet një ndër qarqet me prodhimin më të lartë të kulturës së duhanit në vit, por sigurimi i tregut është tejet i vështirë. Në gjithë këto vite është premtuar për rregullimin e tregut dhe zgjidhjen e kësaj problematike, por në realitet ajo me të cilën janë përballur fermerët ka qënë vetëm sekuestrimi dhe aksionet blic të antikontrabandës. Zyrtarisht drejtoria e bujqësisë thotë se për 2016-en rezultojnë mbi 300 hektarë tokë bujqësore të mbjella me duhan, me një prodhim që kap shifrën e rreth 6 mijë kuintal.
Shima ndalet tek zonat me kultivimin më të lartë, si dhe asistencën qe jep drejtoria e bujqësisë bazuar mbi ligjin ekzistues për këtë kulturë.
Mungesa e tregut i ka privuar fermerët në kultivim dhe aktualisht në Shkoder ka vetëm 2 pika grumbullimi, por që rezultati i tyre ka qënë thuajse aspak i ndjeshëm.
Ndërkohë autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar që të merren masa për hapjen e tregut të grumbullimit të duhanit të prodhuar në vend me qëllim nxitjen e konkurrencës efektive në treg, pas një hetimi të thelluar që zhvilloi në tregun e prodhimit, grumbullimit, përpunimit dhe eksportit të duhanit në vendin tonë. Struktura monopol e tregut të grumbullimit të duhanit në vend dhe shqetësimet e evidentuara gjatë procedurës hetimore kërkojnë rritjen e konkurrencës në tregun përkatës nëpërmjet hapjes së tregut, si dhe rritjen e fuqisë kundërvepruese të fermerëve nëpërmjet vetë organizimit.