Për pak mund të ishte kthyer në tragjedi, por fatmirësisht u mbyll vetëm me lendime të lehta dhe deme të shumta materiale. Shpërthimi i një bombule gazi në katin e pestë të një pallati në lagjen “Ndoc Mazi” të Shkodres, tronditi banorët. Dy të moshuar, Nikoll dhe Agetina Paloka kanë qënë në banesë dhe në momentin e ndezjes së bombulës, kjo e fundit ka marrë flakë. Ata janë larguar menjehërë nga dhoma duke tentuar daljen nga shtëpia, kur bombula ka shpërthyer duke shkrumbuar tërësisht gjithçka. Kanë qënë fqinjët që i kanë ardhur në ndihmë çiftit të të moshuarve Paloka dhe kanë lajmëruar shërbimin zjarrfikës e autoambulancën, ku kjo e fundit ju ka dhënë ndihmën e parë çiftit të të moshuarve. Ndërkohë shërbimi zjarrfikës ka bërë fillimisht lokalizimin e më pas shuarjen e zjarrit, i cili ka lënë pas deme të shumta materiale. Shpërthimi i bombules krijoi panik tek banorët pasi flakët po përhapeshin me shpejtësi, por në të njëjtën kohë rasti në fjale ngre edhe njëherë tjetër pikëpyetjen e madhe sa i perket sigurisë së tyre. Asnjë masë nuk është marrë për kontrollimin e pikave të tregtimit, duke bërë që siguria e bombulave të jetë minimale, e jeta e qytetareve cdo ditë të vihet në rrezik nga papërgjegjshmëria e institucioneve.