Rrugëton në një periudhë 20 vjeçare, duke na kthyer pas në kohë pikërisht në vitin 1967, atëherë kur Shqipëria u shpall shtet ateist dhe deri në vitin 1985, kur vdes Enver Hoxha, ai që e shpalli. Romani autobiografik i dramaturgut dhe shkrimtarit Stefan Çapaliku, “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” u prezantua përpara publikut Shkodran, në një mbrëmje të veçantë ne teatrin “Migjeni”. Ngjarjet zhvillohen në qytetin e tij të lindjes dhe pikërisht këtu zgjodhi ta bëjë prezantimin e parë autori, i cili në këtë roman sjell një dëshmi letrare te trupit, shpirtit dhe mendjes së qytetit, përgjatë një prej lëngatave të tij më të pashpresa. Ai nis tregimin kur jashtë po shkatërroheshin institutet e religjionit dhe brenda po lindte një institut i ri besimi, që ishte televizori, media.
Të veçanta erdhen copëzat e këtij romani nga aktorët e teatrit “Migjeni”, ndërsa nuk munguan pyetjet nga spektatori drejtuar autorit Çapaliku.
Ky roman hap vetëm siparin edhe të dy vëllime të tjeta të cilat autori tha para të pranishëmve prekin momente të shënuara për vendin. Vëllimi i dytë do të jetë ai i Shqipërisë së ditëve të para të pluralizmit e deri në 1997 dhe vëllimi i tretë kushtuar Shqipërisë së parë nga udhëtimet jashtë saj.