24 kilogram lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa u sekuestrua nga policia e kufirit dhe migracionit në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit. Specialistët e Seksionit për narkotikët goditën rastin në fjalë, pasi kaluan për kontroll në vijën e dytë mjetin tip “Benz” me targa AA 639 NO që drejtohej nga 55 vjeçari Islam Binjaku nga Tirana, i cili rezulton me preçedent të mëparshëm penal. Ka qënë pikërisht ky fakt që bëri efektivët e policisë të dyshojnë dhe ndonese ai mohoi se në mjet kishte lënë narkotike, gjatë kontrollit të ushtruar u gjetën plot 28 pako, të cilat ishin fshehur në një shtesë të krijuar në pjesën e poshtme të makinës, në krahun e pasagjerit. Aty ishte hapur llamarina dhe ishin vendosur pakot, të cilat rezultuan me peshë totale 24 kilogram e 150 gram. Menjeherë uniformat blu bënë arrestimin e 55 vjeçarit, ndërsa pakot me lëndë narkotike do të sherbejnë si provë materiale për akuzat e ngritura ndaj tij. Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Me afrimin e festave të fundvitit, por edhe rastete ditëve të fundit të sulmeve terroriste, janë rikthyer sërish masat e shtuara në pikat e kalimit kufitar, ku bazuar edhe nga përvoja e viteve të shkuara, trafikantët shfrytëzojnë këtë periudhë për kalimin e lëndeve narkotike.