Një 41 vjeçar mbeti viktimë e një aksidenti rrugor në aksin Shkoder – Han i Hotit, në fshatin Vrakë duke përgjakur edhe njëherë tjetër rrugët e vendit. Ka qënë ora 21.00 e mbrëmjes së të mërkurës kur Jetmir Shpellzaj nga Malësia e Madhe u godit për vdekje nga automjeti tip Benz me targë AA 352 LD, që drejtohej nga shtetasi Rexhep Rrukaj 65 vjeç. Trupi i pajete i viktimës ka qëndruar për më shumë se 30 minuta i shtrirë në tokë, pasi autoambulanca nuk ka shkuar për ta marrë në vendngjarje, edhe pse ishte e sinjalizuar. Policia rrugore dhe grupi ekspertizës të mbërritur në vendngjarje nisen hetimet për shkaqet e këtij aksidenti fatal për 41 vjeçarin, ndërsa bënë shoqërimin në komisariat të drejtuesit të automjetit, 65 vjeçari Rrukaj. Ky i fundit është marrë në pyetje mbi rrethanat e këtij aksidenti të rëndë, ku sipas hetimit paraprak të grupit hetimor, rezulton se shkak është bërë errësira në rrugë dhe pakujdesia në lëvizje shoqëruar me mos respektim të rregullave të qarkullimit nga të dy palët. Megjithatë do të jetë ekspertiza finale që do të përcaktojë të plota shkaqet. Aksi nacional Shkoder – Han i Hotit vijon të mbetet ndër më të rrezikshmit në qarkun Shkoder, ku aksidentet kanë qënë të njëpasnjëshme dhe me pasoja fatale. Përveç mungesës së ndriçimit gjatë nates, që mbetet një ndër problematikat më të mëdha pasi rruga kalon permes zonave të banuara, shqetësim mbetet edhe shpejtësia e lartënë lëvizje, si dhe mungesa e nën apo mbi kalimeve për këmbësorët dhe gjënë e gjallë.