Moti i keq që ka përfshirë vendin, ku pjesa më e madhe e terrorit ndodhet në temperatura disa gradë nën zero dhe i veshur nga dëbora, bëri që kryeministri Edi Rama të mbledhë Zyrën Operacionale. Duke bërë një paraqitje të situatës, Rama ka deklaruar se masat e deritanishme kanë qenë sa të domosdoshme, aq edhe efikase.
Kreu i qeverisë ka nënvizuar se, është e domosdoshme që qytetarët të kufizojnë lëvizjet dhe se pezullimi i aktivitetit arsimor ka qenë po ashtu i nevojshëm. Por mësimi pritet që me shumë gjasa të mos fillojë as në 9 janar, deklaroi ministri i shendetësisë Ilir Beqaj. Ai e quajti kalim pragu situatën me gripin i cili ka prekur 18 mijë qytetarë.
Shqetësimi më i madh u ngrit nga kreu i emergjencave civile Shemsi Prençi, i cili deklaroi se ndërsa vendi është pllakosur nga ngrica të forta e akulli kompanitë e kontrakturara për të mirëmbajtur rrugët nuk kanë mjaftueshëm rezerva kripe.
Edhe ministrat Panariti e Tahiri bën një rezyme të punës dhe masave të marra nga dikasteret e tyre.
Emergjencat Civile paralajmërojnë se reshjet e dëborës do të zbresin deri në lartësinë 200 metra dhe mundet të prekin edhe zonën bregdetare. Në tre ditë do të kemi ulje të temperaturave deri në – 20 gradë.