Ministria e Financave ka riaktivizuar sërish projektligjin që fal taksat e makinave të vjetra, për qytetarët që duan t’i nxjerrin ato nga qarkullimi. Por nga falja përfitojnë vetëm automjetet për të cilat nuk është paguar asnjë detyrim tatimor pas 31 dhjetorit të vitit 2011, ndërsa për ato automjete, të cilat i kanë paguar taksat pas kësaj periudhe, qoftë edhe për një vit të vetëm, nuk do të ketë falje. Pra kushti i vetëm për të përfituar nga falja është që detyrimet të kenë filluar para 1 janarit të vitit 2012. Kjo do të thotë se një individ, i cili nuk ka paguar taksat e automjetit për periudhën nga viti 2010 deri në 2016-ën përfiton, ndërsa një individ tjetër, i cili ka detyrime të papaguara nga viti 2012 deri në vitin 2016 nuk përfiton. Qytetarët kanë të drejtë që brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të paraqiten pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor për të kryer, pa pagesë çregjistrimin e mjetit. Nëse këta persona nuk do të paraqiten brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, çregjistrimi i mjeteve do të bëhet automatikisht nga autoritetet shtetërore.Por nëse duan qytetarët mund ta mbajnë makinën për të cilën nuk janë paguar taksat, por me një kusht, që t’i paguajnë detyrimet. Ligji u jep të drejtën atyre që duan t’i mbajnë aktive automjetet debitore të bëjnë një kërkesë brenda 6 muajve nga hyrja e tij në fuqi. Personave të cilët paraqiten dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi të mjetit ose mbajtjen aktiv të tij, u fshihen detyrimet tatimore për periudhat dhjetor 2010 e më parë, me kusht që të paguajnë detyrimet për periudhën janar 2011 e në vijim, me përjashtim të gjobave dhe kamatevonesave të periudhës janar 2011 deri me dhjetor 2014 të cilat fshihen.