Në Shkoder e sollën ankesat për mbifaturime të energjisë elektrike, që prej javësh janë kthyer në shqetësimin kryesor të qindra familjeve. Drejtori i OSHEE Adrian Çela që në përballjen e parë në sportelet e filialit verior, u ndesh me qytetarët që ankohen për situatën e krijuar, e ku vetëm zgjidhje nuk kanë arritur të gjejnë. Por për mediat, numri një i OSHEE këto raste i quajti minimale në raport me numrin e abonentëve që ka Shkodra, ku nga 70 mijë të tillë janë rreth 2600 ankimime në 4 muajt e fundit për keqfaturime. Ai paralajmëroi ndëshkim për përgjegjësit, deri edhe në dërgim përpara dyerve të gjykatave.
Pas 3 muajsh do të mbyllet inventarizimi i sistemit shtoi Çela dhe mbi bazën e të dhënave që dalin do zevendësohen matësat e vjetër me ato të rinj. Kjo do të shmangë përfundimisht të tilla raste të keqfaturimeve.
Lidhur me humbjet në rrjet Shkodra vijon të mbetet në shifra të larta, 42% nga 28% që janë në shkallë vendi. Për këtë kompania ka nisur investimet me qëllim përmirësimin e rezultateve.
Pritet që në javët e ardhshme të mos përjashtohen edhe ndëshkimet ndaj punonjësve të OSHEE, që do të bëhen kështu kurbani i mbifaturimeve.