Kercenuan me jeten e te birit biznesmenin duke i kerkuar 25 mije euro
Një person është kërcënuar se do t’i vrisnin të birin në rast se nuk paguante 25 mijë euro. Ngjarja është denoncuar të shtunën në Policinë e Lezhës nga biznesmeni me inicialet V.P., i cili ka vënë në dijeni efektivët për mesazhet kërcënuese që kishte marrë në telefonin e tij nga 2 gjobëvënësit. Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda nisën kërkimin e autorëve: Dodë Gjoka, 37 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Kodër Marlekaj, i dënuar më parë për tentativë vrasjeje dhe Mark Quku, 48 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Malecaj. Ata u kapën në flagrancë në Torovicë, teksa po shkonin të merrnin paratë, ndërsa policia kishte stisur takimin duke mbushur çantën me gazeta, sikur të ishin paratë. Biznesmeni i kërcënuar kishte folur me dy gjobëvënësit se do linte paratë poshtë urës së Malecajve në Torovicë, ndërsa vetë policia kishte përgatitur kurthin e prangosjes. Në momentin që është lënë çanta, Gjoka dhe Quku, janë ulur të marrin paratë, ndërsa vetë policia ishte fshehur në mal,duke bërë prangosjen e dy personave.
Dy të arretuarit do të gjykohen nga Krimet e Rënda për shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë.