Ka qënë duke udhëtuar në drejtim të Shkodres, kur në fshatin Grizhë të Malësisë së Madhe treni i mallrave i linjës Shqipëri – Mal i Zi ka dalë nga shinat.
Shkak është bërë dëmtimi i trasesë, duke bërë që 6 nga 10 vagonët të rëzohen. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por vetëm deme materiale pasi treni ishte i mbushur me lëndë inerte. Aksidenti ndodhi në një zonë larg shtëpive të banimit, pasi në pjesë të tjera të hekurudhës ai kalon ngjitur me shtëpitë e banimit të fshatrave të Malësisë së Madhe, duke qënë rrezik serioz për jetën e kalimtarëve. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet mbi shkaqet e këtij aksidenti sëbashku edhe me ekspertë të hekurudhave. Në pyetje po merren mashinisti dhe punonjësit e tjerë, ndërsa nga hetimet e para mësohet se treni nuk ka qënë duke lëvizur me shpejtësi, pasi prej vitesh amortizimi i hekurudhës ka kthyer lëvizshmerinë në këtë zone në minimumin e mundshëm. Mësohet se i pari që ka dalë nga shinat ka qënë vagoni i dytë pas lokomotivës, e më pas edhe të tjerët pas tij pasi traseja është dëmtuar. Lëvizja e tij do të jetë tejet e vështirë pasi fillimisht do të duhet të hiqen materialet inerte në vagona, e më pas do të kryhet lëvizja e tyre që sipas parashikimeve do të marrë disa ditë kohë. Pas zhvendosjes së trenit do të nisë puna për riparimin e kesaj pjese të dëmtuar të hekurudhës. Linja Shqipëri –Mal i Zi prej vitesh shërben për kalimin e mallrave, si e vetmja lidhje tregtare mes dy vendeve tona nga rrjeti hekurudhor.