Një 49 vjeçar gjeti vdekjen si pasojë e një aksidenti rrugor ne segmentin Shkoder – Vau Dejës, në fshatin Stajka. Edmond Lisi po udhëtonte me automjetin tip Skoda me targë AA 632 HK kur është futur në parakalim, por pikërisht në këto momente ai është përplasur me një kamionçin me targë AA 945 LO qe drejtohej nga 30 vjeçari Anton Aliaj. Përplasja ka qënë e fortë dhe për pasojë mjeti ka përfunduar në kanalin anësor të rrugës ndërsa drejtuesi i saj, 49 vjeçari Lisi mori plagë të rënda. Ai u transportua me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodres por mësohet se nuk i ka rezistuar plagëve të marra dhe nderroi jetë ne sallen e operacionit. Në vendngjarje mbërritën forcat policore dhe grupi ekspertizës të cilën nisën hetimet rreth shkaqeve të këtij aksidenti. Në pyetje po merren dëshmitarë në vendngjarje dhe drejtuesi kamionçinës i cili mori lendime të lehta. Bazuar nga të dhënat në vendngjarje dhe dëshmitë e banorëve shkak për aksidentin ka qënë parakalimi i gabuar i mjetit që drejtonte viktima, që solli përplasjen e më pas përfundoi në kanal. Por policia sqaron në njoftimin e saj për shtyp se të dy mjetet kanë shkelur rregulat e qarkullimit rrugor dhe për pasojë është arrestuar edhe drejtuesi i kamionçines, 30 vjeçari Aliaj. Ky segment rrugor ka qënë shpesh problematik për shkak edhe të sinjalistikës së pjesshme dhe levizjes me shpejtesi të mjeteve, duke bërë që aksidentet të jenë të pranishme, shpesh edhe me pasoja të rënda si ky i fundit që i kushtoi jetën 49 vjeçarit.