Edi Rama dhe Ilir Meta vendosen të darkojnë sëbashku mbrëmjen e së martes në mjediset e kryeministrisë, vetëm pak metra larg çadrës ku opozita proteston prej 5 ditësh.
Në komunikimin politik, dy aleatët e koalicionit qeverisës zgjodhën kështu t’i japin një tjetër mesazh opozitës, që ngul këmbë për krijimin e një qeverie teknike si garanci për zhvillimin e zgjedhjeve të lira. Demokratët i kanë sytë nga Ilir Meta, si njeriu i vetëm që mund ta detyrojë Edi Ramën të bëjë një hap pas, duke i hequr mbështetjen e LSI-së Kryeministrit. Por kreu i kuvendit i cili ka përshendetur protestën e opozitës për frymën paqësore dhe në të njëjtën kohë kërkoi të mos vendosen ultimatume, këtë herë zgjodhi të dalë krah aleatit të tij, si për të sfumuar shpresat se do të braktisë udhëtimin qeverisës të nisur rreth 4 vite me pare. Qëndrimi ishte i gjatë mes tyre dhe vetëm në orën 01.30 minuta të mëngjesit të së mërkurës, dyert e Kryeministrisë u çelën dhe i pari u largua Ilir Meta e pas tij Edi Rama. Pwr mediat, Ilir Meta u shpreh qartw se darka ishte thjesht rutine pune mes tij dhe kryeministrit.