Një ditë pas urdhërit të lëshuar nga ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, në të gjithë vendin e premtja ishte një ditë kontrollesh për policinë. Plot 3100 forca policore janë angazhuar në një operacion masiv dy ditor për të parandaluar kultivimin e fidanëve dhe bimëve të kanabisit në sera diellore, tunele të braktisura, ish rezerva shtetërore dhe në çdo ambjent tjetër të mundshëm që mund të përdoret nga grupet kriminale. Bilanci i ditës së parë të kontrolleve për qarkun e Shkodres është: 1241 kontrolle nga të cilat, 1045 ne sera, 127 ish rezerva dhe magazina shtetërore, 33 reparte ushtarake, 20 objekte te ndryshme dhe 16 banesa të pabanuara. Policia i ka ushtruar kontrollet në bashkëpunim me kryetarët e fshatrave ne vendet e mundshme për kultivimin e fidanëve të bimëve narkotike. Të gjitha ambjentet apo objektet e kontrolluara gjatë këtij operacioni masiv, janë fotografuar dhe filmuar nga ekspertët e policisë. Të gjitha ambjentet që ishin me pronar pasi përfundoi kontrolli, pronarët firmosën deklaratë se këto ambjente nuk do të përdoren për kultivim të bimëve narkotike. Edhe për ambjentet dhe objektet pa pronar, është mbajtur procesverbal i firmosur nga pjestarët e grupeve të kontrollit. Policia informon se kontrollet për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike do të vijojnë çdo ditë në territorin e çdo Drejtorie Vendore të Policisë së Qarqeve. Me herët gjatë një takimi që pati me policinë, ministri Tahiri pranoi publikisht shqetësimin e kreut të Antimafies italiane, sipas të cilit shifrat e trafikut të drogës ishin trefishuar gjatë viteve të fundit. Ai premtoi se ashtu siç ishin shkatërruar parcelat në Lazarat, do të shkatërroheshin në të gjithë Shqipërinë.