Ndonëse duhej të ishin të qetë dhe me përkushtimin maksimal për sfiden shumë të vështirë të fundjavës me kampionët në fuqi të Skenderbeut, në kampin kuqeblu situata nuk duket se është krejt e tillë. Kjo edhe për faktin se ditët e fundit, kuqeblutë janë përfshirë në një situatë komentesh mediatike, përfshirë edhe ato të rrjeteve sociale që automatisht kanë krijuar turbullirat në opinionin sportiv. Përgjithësisht, kjo ka qënë edhe në fokus të konferences për shtyp që trajneri Armando Cungu dhe kapiteni Ndriçim Shtubina dhanë paraditen e së premtes për mediat.
Në pritje të sfides Vllaznia-Skenderbeu që do të luhet të shtunën në orën 17.00 në stadiumin “Loro Boriçi” kuqeblutë kanë zhvilluar seancen e fundit stervitore mesditen e së premtes ku tekniku Cungu ka bërë edhe testimet më të fundit në lidhje me kolaudimin e formacionit të parë.