Për dy javë me radhë, emisioni Sport Show në TV1 Channel ka qënë “pronë” e atletit shkodran Izmir Smajlaj. Medaljet e arta të fituara njëra pas tjetres të shoqëruara edhe me rekorde të reja kombëtare, por më së shumti ngritja e flamurit kuq e zi në kryeqytetin serb Beograd si kampion i Ballkanit dhe Europës morën vemendjen më të madhe të shikuesve. Ndërsa një javë më parë në studio ishte vetë protogonisti Smajlaj, këtë radhë emocionet e suksesit të Europianit i solli në studio, kreu i delegacionit spotiv shqiptar, ish kampioni dhe rekordmeni i garave të shpejtësisë, Oltion Luli, aktualisht edhe në cilësinë e antarit të kryesisë së Federatës Shqiptare të Atletikes.
Krahas suksesit të shkodranit Smajlaj, së bashku me të ftuarit e tjerë, veteranin e futbollit Fatmir Lugji, Mjeshtrin e madh Bujar Qamili dhe gazetarin Bepin Kolvataj, Sport Show u ndal edhe në barazimin e Vllaznisë në transferten gjirokastrite, lojrat me dorë, futbollin e femrave, futbollin e moshave, etj.