Rreth 100 shtetas shqiptarë, kryesisht punonjës sezonal të sektorit të ndërtimit në Mal të Zi janë kthyer nga policia e kufirit dhe migracionit e shtetit fqinj. Këto të fundit si çdo ditë i janë drejtuar këtë të enjte doganës, por policia malazeze u ka kërkuar të gjithëve përveç kontratës se punës edhe një shumë të hollash që varion nga 50 deri në 150 euro si garanci kalimi. Të gjendur të papërgatitur ata kanë telefonuar të afërmit duke ju kërkuar që ti sillnin shumën e parave, si dhe kanë raportuar në doganën se cili ishte destinacioni i tyre i punës në këtë shtet, e më pas janë lejuar të kalojnë. Jashtë kamere një fakt të tillë e pranojnë edhe drejtuesit e policisë kufitare të Shqipërisë, ndërsa nga pala malazeze nuk japin asnjë koment. Nga pala Shqiptare thuhet se ky veprim më herët nuk ka egzistuar, por prej disa ditësh kolegët e Malit të Zi kanë vendosur që punonjësve t’u kërkohet garancia e parave për kalim, si dhe një leje pune. Shumica prej tyre nuk kanë një kontratë të rregullt, pasi punojnë me sezone në Mal të Zi, kryesisht në të zezë por paratë që marrim në muaj janë 400 deri në 550 euro, ç’ka i bie që për pjesën më të madhe të tyre të jenë të mjaftueshme për mbajtjen e familjeve. Të gjendur pa punë në shtetin mëmë, ata kanë parë si zgjidhje këtë formë punësimi, të gjendur edhe afër me kufirin tonë. Kryesisht punëtore janë nga fshatrat e njësisë Ana e Malit si dhe nga Postriba. Ata lëvizin me motorçikleta deri në doganë, e më pas me mjete të transportit publik deri në destinacion.