Nuk ka qënë një ditë si gjithë të tjerat kjo e premte për Martin Bërthamzën, i cili u bllokua nga policia kufitare e Malit të Zi, ndërsa po tentonte të kalonte drejt shtetit fqinj ku prej disa vitesh ka arritur të gjejë punë të ndryshme, kryesisht në mirëmbajtje. Me biçikletën e tij ai nuk arriti të shkojë drejt vendit të punës, ku çdo ditë ka arritur të sigurojë 20 deri në 25 euro, me të cilat mban 8 pjestarët e familjes. Por më shumë sesa kthimi, atë e ka irrituar sjellja e policisë së Malit të Zi, në momentin që i ka dorëzuar kartën e identitetit dhe i kane kërkuar si garanci kalimi 200 euro.
Pas publikimit të lajmit në media, këtë të premte vetëm dy shtetas janë kthyer pasi nuk kishin paratë e mjaftueshme në portofol, të tjerët të përgatitur nga kthimet e mëparshme nuk kanë hasur probleme. Kjo kërkesë e re në doganën e përbashkët të Muriqanit vetëm në javën e fundit ka penalizuar rreth 100 shtetas shqiptarë qe kanë arritur të sigurojnë një punë për të mbajtur familjes, në shtetin kufitar të Malit të Zi. Pritet që kjo çeshtje të ngrihet edhe në kuvendin Malazez, pasi partitë shqiptare janë njohur me problemin në fjalë dhe kanë përgatitur propozimin që me ardhjen e sezonit turistik të hiqen kontrollet në pikat e përbashkëta kufitare Shqipëri – Mal i Zi, si dhe të shqyrtohet kjo çeshtje.