Tuesday, September 10, 2024
HomeAktualitetShuhet kantautori Françesk Radi

Shuhet kantautori Françesk Radi

-

Shuhet ne moshen 67 vjeçare kantautori i njohur Francesk Radi. Këngëtari mbylli sytë në reanimacionin e Qendrës spitalore universitare pasi 8 ditë më parë pësoi një hemorragji cerebrale. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, autoritet e shëndetësisë dhe mjekët nuk mund ta transportonin për trajtim jashtë Shqipërisë pavarësisht kërkesës së familjes. I diplomuar në akademinë e arteve, Françesk Radi është i mirënjohur për publikun shqiptare jo vetëm si këngëtar, por edhe si kompozitor dhe instrumentist. Ai i përket brezit të arstistëve të viteve ’70 të cilët në kundërshtim me dogmat e regjimit komunist u përpoqën të sillnin një erë të re në muzikën e lehtë shqiptare, veçanërisht pop-rrokut. Dy këngët që e bënë atë të njohur për dashamirësit e muzikës ishin “Adresa” dhe “Biçikleta”. Me zërin e tij të veçante Radi u bë pjesëmarrës i shumë festivaleve të këngës në Radio Televizionin Shqiptar, përfshi këtu edhe Festivalin e 11-të në vitin 1972, ku interpretoi këngën “Kur dëgjojmë zëra nga bota”. I goditur nga regjimi, Radi punoi për një periudhë kohe si mesues në Puke, instrumentist dhe këngëtar në estradën e shtetit. Në fillim të viteve 90-të, ai u angazhuar si redaktor muzike pranë redaksisë së krijimtarisë muzikore në Radio Tirana. Po në këtë kohë Radi iu rikthye festivalit të këngës, duke dominuar skenën e tij nga viti 93 deri në 2010-tën. Françesk Radi spikati për ritmet e veçanta që solli, sikundër për interpretimin karakteristik të tij. “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, janë disa nga hitet e e Françesk Radit të cilat kanë mbetur në fondin e artë të muzikës së lehtë shqiptare. Francesk Radi ishte bashkëshorti i gazetares së njohur të Televizionit Shqiptar Tefta Radi. Publiku shqiptar humbi sot këngëtarin që edhe në sistemin e shkuar, mundi të përcjellë për të, kryevepra të muzikës botërore, veçanërisht ato të muzikes italiane, ku muzika e të madhit Adriano Çelentano do të kishte ndikim të rëndësishëm për Françesk Radin, në karrierën e tij si artist.

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts