Kanë zgjedhur të gjithë të heshtin edhe pse auditi i kontrollit të lartë të shtetit flet qartë për shkeljet ligjore që vijojnë të bëhen tek Vllaznia. Për 3 vite radhazi, 2014, 2015, 2016, lojtarët e ekipit të parë të Vllaznisë dhe stafi i trajnerëve dhe mjekëve janë trajtuar me kontrata shërbimi dhe për to nuk janë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Kështu janë 350 milionë lekë me efekt negativ në skemën e sigurimeve shoqërore. Nga auditimi rezulton se 15% e tatimit në burim me një shumë totale prej 230 milionë lekësh të vjetra për lojtarët dhe stafin sportiv nuk janë derdhur në degën e tatim taksave në Shkodër. Janë kryer pagesa pa procedura tenderimi, si blerje karburanti, në vlerën 13 milionë lekë të vjetra, akomodim sportistësh, në vlerën 84 milionë të vjetra, shpenzime transporti, 42 milionë lekë të vjetra apo shpenzime ushqimi, në vlerën 55 milionë lekë të vjetra që në total janë 194 milionë lekë të vjetra. Kontratat e lojtarëve, sipas auditit të KLSH-së, janë në kundërshtim me rregulloren e FSHF-së. Vllaznia ka të vlerësuar edhe logon që në vitin 2011, në shumën 639 milionë lekë të vjetra, por që nuk është regjistruar në kapitalin e shoqërisë sipas ligjit. Në vitin 2014, Vllaznia ka një humbje prej 556 milionë lekësh të vjetra, ndërsa në 2015-ën ka një humbje prej 725 milionë lekësh të vjetra, ndërsa pasqyrat financiare kanë mangësi të theksuara në paraqitjen e llogarive. Në vitin 2014, FSHF-ja ka arkëtuar një shumë prej 70 milionë lekësh të vjetra dhe shumën prej 15.500 euro në vitin 2016 për Vllazninë, por pa një kontratë të lidhur dhe nuk është deklaruar si e ardhur në klub, duke qenë në kundërshtim me ligjin. Kontratat me lojtarët e huaj janë në shkelje të ligjit bën të ditur auditi i KLSH-së. Projekt buxheti për vitet 2014, 2015, 2016 nuk është hartuar në përputhje me kërkesat e ligjit “për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” si dhe projekt-buxhetet në këto vite nuk janë miratuar në Këshillin Bashkiak, sipas zërave të shpenzimeve, pra të detajuara për paga e sigurime shoqërore e shëndetësore. Nuk ka rregullim të brendshëm, për përgatitjen e programeve ekonomike-financiare. Organika dhe niveli i pagave për personelin teknik dhe administrativ të shoqërisë nuk është miratuar në këshillin bashkiak, veprim i realizuar nga ish-administratorët dhe administratori aktual dhe që bie ndesh me ligjin “për kompetencat dhe caktimin e pagave”. Të gjitha këto veprime përmbysin dhe në të njëjtën kohë hedhin poshtë edhe deklarimet e kryebashkiakes Voltana Ademi për transparencë në bashkinë Shkoder. Pas këtij auditi përse askush nuk ka guxim të flasë, por pajtohet me shkeljet që bien në kurriz të taksapaguesve që prej vitesh mbajnë Vllazninë me miliona lekë, e një pjesë e madhe e tyre nuk dihet se në xhepat e kujt kane perfunduar e përfundojnë. Edhe sa kohë do të ndiqet kjo praktikë, që do të ishte përkthyer në më shumë investime për infrastrukturën në qytet, apo tek nevojat e tjera që janë të mëdha, por që fatkeqësisht bien në dorën e shpërdorimit për një ekip që rropatet të mbijetojë në superligë, duke prekur vijën e kuqe në gjithë këto vite.