OSBE/ODIHR-i do t’u kërkojë Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së të dërgojnë 30 vëzhgues afatgjatë dhe 300 afatshkurtër për të vëzhguar zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Në raportin e Misionit të OSBE/ ODIHR-it për Vlerësimin e Nevojave, nënvizohet shqetësimi për situatën aktuale politike dhe mungesën e dialogut që mund të dëmtojë zhvillimin e zgjedhjeve. “Që prej shkurtit PD ka bojkotuar parlamentin dhe po udhëheq një protestë të qëndrueshme publike duke kërkuar krijimin e një qeverie teknike që do të krijojë kushtet për zgjedhje të besueshme. Qeveria nuk ka pranuar këto kërkesa dhe kritikon opozitën për bllokim të padrejtë të reformave të nevojshme. Shumë bashkëbisedues të OSBE/ ODIHR shprehin shqetësim lidhur me situatën politike dhe mungesën e dialogut që mund të dëmtojë zhvillimin e zgjedhjeve” thuhet në raport. Korniza ligjore për zgjedhjet është përmirësuar ndjeshëm në 2012, përpara zgjedhjeve të mëparshme. Një proces i ri i reformës zgjedhore nisi në vitin 2015, por për shkak të mungesës së konsensusit politik, mes dy partive më të mëdha, pjesa më e madhe e rekomandimeve të OSBE/ ODIHR nuk janë adresuar”. Shumë bashkëbisedues të OSBE/ODIHR kanë ngritur shqetësimin lidhur me presionin politik ndaj KQZ dhe tërheqjen e komisionerëve të KZAZ të opozitës nga përgatitja teknike e zgjedhjeve. Ne raport vihet re gjithashtu se zgjedhjet parlamentare mund të kontestohen nga kandidatët e nominuar nga partitë politike, koalicionet apo grupe votuesish. “Bashkëbiseduesit nuk kanë ngritur shqetësim lidhur regjistrimin e kandidatëve, megjithëse janë vënë re disa shqetësime lidhur me kapacitetin e KQZ-së për të verifikuar rekordet kriminale të kandidatëve, në mënyrë të qëndrueshme sic e kërkon ligji i Dekriminalizimit” vijon raporti. Deri tani në KQZ, OSBE raporton se janë regjistruar 30 parti, ndërsa 23 parti të opozitës kanë njoftuar KQZ për qëllimin e tyre për t’u mos u regjistruar. “Shumë prej bashkëbiseduesve kanë ngritur shqetësim lidhur me transparencën e financimit të fushatës, sidomos shpenzimet për reklama në media”. OSBE/ ODIHR argumenton shkakun pse duhen 330 vëzhgues. “Të gjithë bashkëbiseduesit kanë theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve dhe nevojën për një mision në shkallë të gjerë të vëzhgimit të OSBE/ ODIHR, duke nënvizuar mungesën e ndjekjes së rekomandimeve të OSBE-së dhe një vijismi të polarizimit politik që mund të ndikojë në zgjedhje. Një sërë çështjesh duhet të kenë vëmendjen e OSBE/ ODIHR përfshi dhe regjistrimin e votuesve dhe të kandidatëve, zhvillimin e fushatës, mundësitë potenciale për blerjen e votës, presion dhe abuzim ndaj administratës, mbulimin e medias, implementimin e rregullave financiare të fushatës, procedurat në ditën e zgjedhjeve dhe zgjidhja e ankesave dhe apelimeve” – thuhet në raport.