550 vjetori i shpërnguljes së figurës se “Zojës së Këshillit të Mirë” për në Gjenecano – Itali, do të përkujtohet me një sërë aktivitetesh nga kisha Katolike. Ky përvjetor jubile, kushtuar pajtores së vendit tonë nis me konferencën shkencore ndërkombetare që do të mbahet në seminarin ndërdioqezan dhe përmbyllet me 26 prill me meshen e shenjtë në kishën kushtuar “Zojës së Shkodres” që do të udhëhiqet nga i dërguari i selisë së shenjtë, kardinali Franc Rode.
Zoja e Shkodrës apo Zoja e Kshillit të Mirë, është një ikonë e Shën Marisë me Jezusin fëmijë. Kjo ikonë do të braktiste qytetin pak përpara pushtimit turk, pikërisht në 25 prillin e vitit te larget 1467, për t’u vendosur në kishën e Gjenacanos, një kishë ndërtuar që në shekullin e dhjetë. Këshilli i katërt i peshkopëve shqiptarë, i mbajtur në vitin 1895, e shpalli Zojën e Shkodrës “Pajtore të Shqipërisë”. Nga brezi në brez besimtarët katolikë kanë mbajtur të gjallë bindjen në “mrekullinë” e ndodhur 550 vjet më parë, ku figura e Zojës që gjindej në afresk në një mur të kishës, shtegtoi drejt shtetit fqinj e ndjekur nga dy katolike Shkodrane. Një kuadër i kësaj figure, ku përfytyrohen edhe dy shkodranët, gjendet edhe sot në Kishën e Zojës në Shkodër, ne hyrje te qytetit. Çdo vit besimtarët e Krishterë bëhen pjesë e lutjeve dhe meshëve të shenjta kushtuar Zojës së këshillit të mirë, gjatë muajit maj, i njohur ndryshe për Shkodranët si muaji i Zojës.