Një 31-vjeçar humbi jetën, pasi automjeti që drejtonte humbi kontrollin dhe përfundoi në një kanal. Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit në aksin rrugor që lidh fshatin Tale të Lezhës me supestradën Lezhë-Laç, ndërsa viktimë mbeti shtetasi Edmond Nika. Ky i fundit po lëvizte me një automjet tip Renault me targa AA 277 KH kur ka humbur kontrollin e makinës, duke përfunduar në kanalin anës rrugës i cili ishte i mbushur me uje. Kanë qenë kalimtarë të rastesishëm të cilët kanë parë automjetin në ujë dhe kanë njoftuar menjëherë policinë. Blutë mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, duke konstatuar se në makinë ishte dhe trupi i pajetë i 32-vjeçarit. Pas afro dy orësh punë nga forcat e policisë dhe ato zjarrfikëse, trupi i viktimës u nxor nga uji dhe u dërgua në morgun e spitalit të Lezhës ku do ti nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore. Dyshimet se në automjet mund të ketë patur dhe persona të tjere bëri që në vendin e ngjarjes të mbërrijnë dhe polumbarët. Ata kanë nisur kërkimet në ujë, por nuk kanë konstatuar asgjë. Nga hetimet e para të policisë bëhet e ditur se shkak për aksidentin është bërë shpejtësia me të cilën po lëvizte drejtuesi i automjetit, çka ka bërë që të humbasë kontrollin dhe të përfundojë në kanal.