Java e 30-të e kategorisë Superiore e përballë Vllazninë me një ndeshje transferte, siç është ajo që do të luhet diten e shtunë, në ora 19.00 në stadiumin “Flamurtari” përballë ekipit vendas. Ashtu si edhe në ndeshjet e tjera, në radhët e kuqebluve pritet të ketë sërish mungesa titullarësh. Rikthehen të skualifikuarit Vrapi dhe Bakaj, por do të mungojë për kartona të verdhë, kapiteni Shtubina, ndërkohë që probleme dëmtimi ka edhe me dyshen Krymi-Bardulla. Situatë kjo që nuk është përjetuar mirë nga ana e teknikut Armando Cungu, i cili gjithësesi është përpjekur të bëjë më të mirën duke punuar për të nxjerrë në fushë njëmbëdhjetë futbollistët më të spikatur dhe që gëzojnë formën e duhur sportive. Dy prej tyre që do ta fillojnë ndeshjen nga minuta e parë janë edhe mesfushorët e krahëve, Arsid Kruja dhe Erald Çinari.
Mesfushori Kruja, vjen në këtë ndeshje pas një forme të mirë të prezantuar gjatë javëve të fundit, që përpos besimit të dhënë nga trajneri Cungu, nga ana e tij ka marrë edhe vlerësime për nivelin e paraqitur në fushë.
Për Krujën, ndeshja e së shtunës në Vlorë ka edhe një të veçantë, pasi përpos se ai ka qënë pjesë e kësaj skuadre dy sezone më parë, mesfushori shkodran i ka shënuar Vllaznisë në “Loro Boriçi” kur mbante të veshur fanelen vlonjate.
Formacioni kuqeblu në sfiden e së shtunës me Flamurtarin pritet të jetë me Selimajn në portë, Gurishta, Vrapi, Bicaj, Pjeshka në mbrojtje, Gocaj, Tafili, Kruja në mesfushë, si dhe në sulm, Çinari me Bakajn në krahë, me Hebajn në majë si sulmues i deklaruar.