“Rroftë”, ka zgjedhur ta pagëzojë kështu ekspozitën e saj fotografike Blerta Hoçia, e çelur në mjediset e muzeut kombëtar të fotografisë “Marubi”. Ka ardhur e veçantë sepse ajo ka nxjerrë në pah një përbërës të rëndësishëm në zhvillimin e historisë së çdo shoqërie, por që në të shumtën e rasteve është lënë në hije: turmat, masat. Materiali i kësaj ekspozite nuk ofron një studim mbi formimet e turmës, por vjen më shumë si një dëshirë për ta vështruar atë, për tu përballur me faktin që ajo është dhe ekziston si e tillë edhe në kohën tonë digjitale.
Kuratorja Hoçia thotë se hulumtimi në arkivë mbetet gjithmonë i veçantë sepse të përball me detaje interesante dhe shpesh të panjohura.
Fondi i Muzeut Marubi është një pasqyrë që ilustron historinë e vendit dhe zgjerohet në shumë fusha të ndryshme si ajo sociale, etnografike, politike etj. Duke kërkuar në të ato formime e grupime të popullit ku mund të hasej karakteri i tij, kemi përpirë histori të mbështjella në legjenda të jashtëzakonshme. Por çfarë mbetet prej legjendës në një fotografi? Një turmë anonime, që thotë Rroftë!”