Prokuroria e Shkodres i ka mbyllur hetimet dhe për 41.500 metrat/katror tokë në zonën e Thethit të përfituara në kundërshtim me ligjin, ka dërguar në gjykatë ish zyrtarët e komunës Shalë, të cilët i akuzon për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim. Tashme nuk ka asnjë dyshim për organin e akuzës, dhe ish kryetari i komunës Dedë Tonaj, në bashkëpunim me ish-vartësit e tij, Tom Shyti dhe Gjovalin Lokthi kanë fallsifikuar dokumenta zyrtarë, në bazë të të cilëve persona të ndryshëm janë bërë pronar të pronave në zonën turistike pa pasur asnjë të drejtë ligjore per përfitim e tyre. Sipërfaqja në fjalë sot është nën sekuestro preventine nga prokuroria e cila hetimet i shtriu në vitin 2008, ku sipas saj në këtë periudhe ish-Kryetari i Komunës Dedë Tonaj, ka udhëruar nëpunësin Tomë Shyti, me detyrë inspektor i taksave dhe kryeplakun Gjovalin Lokthi, të plotësojnë formularët e Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi për banorët e Thethit, në një kohë që nuk ishte ngritur komision për ndarjen e tokës në fshat ku këta te kenë qenë anëtare, dhe nuk është ndjekur asnjë procedurë ligjore për ndarjen e tokës. AMTP janë plotësuar nga shtetasi Tomë Shyti, i cili në rubrikën “Për komisionin e tokë në fshat… Kryetari” ka vënë emrin e tij dhe ka nënshkruar në këtë cilësi pa e patur atë. AMTP janë vulosur nga kryetari i Komunës Tonaj, Tomë Shyti dhe nga kryeplaku Lokthi, duke i dhënë këtyre akteve vlerën e dokumentave zyrtarë. Krahas te tjerave rezulton se me to u është dhënë pronësia për tokat ne fshatin Theth edhe personave që nuk janë banorë ose që janë nga fshatra te tjere, (rreth 67 raste) dhe personave, të cilët kanë lindur shumë vite pas dt.01.08.1991, që janë te dtl.1995, 2000….2007 (në bazë të ligjit 7501/1991 përfitonin tokë anëtarët e familjeve bujqësore në vitin 1991). Ish-kryetari i Komunës Dedë Tonaj, në bashkëpunim me keto persona, ka lëshuar AMTP në kundërshtim me kriteret e përfitimit te tokës edhe në favor të fëmijëve të tij, shtetasve A. Tonaj (dtl. 1998) dhe A Tonaj (dtl. 2001). Perveç 41.500 m2, edhe te tjera prona rezultojne ne proces regjistrimi. Për tokat e përfituara në mënyrë të paligjshme, por që vijojnë të jenë në proces regjistrimi në Hipotekë, Prokuroria njofton Avokaturën e Shtetit, për të vijuar procedurat e mëtejshme për të rikthyer në ligjshmëri procesin e ndarjes së tokave në ish-komunën Shalë (Theth). Pak ditë më parë, Prokuroria e Shkodrës përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim edhe dy ish-zyrtarë të Hipotekës Shkodër, për një tjetër rast të regjistrimit të rreth 23.500 m2 tokë në kundërshtim me ligjin, në fshatin Baks-Rrjoll, në zonën turistike të Velipojës, proces i ndodhur ne vitin 2008.