Ndeshja e javës së fundit të fazës së dytë të Kampionatit Kombëtar të futbollit për Vllaznia U-19 të kategorisë Superiore të moshave ka qënë ajo e luajtur në kryeqytet përballë Partizanit vendas. Një ndeshje që përcaktonte edhe fatin e skuadrës kampione të grupia A, pasi përballeshin dy skuadrat rivale të kreut, Vllaznisë kryesuese që i mjaftonte edhe barazimi dhe Partizanit me një pikë më pak në vend të dytë që i duhej patjetër fitorja për të rrëmbyer titullin. Por, edhe pse kuqebluve i mjaftonte edhe barazimi, të drejtuar nga trajnerët Elvin Beqiri dhe Albert Kaçi prezantuan një lojë sulmuese, ku si rezultat i saj erdhi edhe goli i avantazhit me anë të Palushanit. Vendasit të pakënaqur nga pësimi i golit shtojnë shumë veprimet sulmuese dhe pasi kanë kërcënuar edhe me dy shtylla shënojnë golin e barazimit me anë të Bajramit. Barazimi që në fakt i interesonte Vllaznisë qëndron në fuqi deri në minutat e fundit të ndeshjes, pikërisht atëherë kur kuqeblute realizojn golin e dytë përmes ekzekutimit të një goditje dënimi mjeshtrore të mesfushorit Endi Brahimi. Por, nuk mjafton me kaq, sepse në kohën shtesë Vllaznia gjen edhe golin e tretë. Në një depërtim brenda zonës së Partizanit, Qardaku pengohet në zonë dhe arbitri akordon penallti. Është Rajçeviq që gjuan saktë dhe shënon duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllet me rezultatin 3 me 1 në favor të Vllaznisë. Fitore kjo që e mban Vllazninë në vendin e parë të me 65 pikë duke e shpallur kampione të grupit A. Trofeu në fjalë iu dorëzua kapitenit të skuadras Rajçeviq nga anetari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së menjëherë pas ndeshjes. Në fakt, për ekipin kuqeblu të 19 vjeçarëve sezoni akoma nuk ka përfunduar, sepse sipas formulës së Federates Shqiptare të Futbollit, katër ekipet më të mira të kampionatit, dy të grupit A dhe dy të grupit B do të luajnë javën e ardhshme në fazën e Plej-Ofit për të përcaktuar ekipin kampion të Shqipërisë për të dyja grupet. Finale këto që skuadra kuqeblu synon t’i mbyllë me sukses me objektiv për të fituar edhe trofeun e përgjithshëm të kampionatit të superliges për kategorinë U-19.