Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së shtunes në Vau Dejës. Sipas policisë, i plagosur ka mbetur 23-vjeçari Fran Ndrecaj, nga fshati Mnele. Gjithçka ka ndodhur pas një konflikti çasti për motive të dobëta mes të plagosurit dhe të riut Mark Nikolli 26 vjeç nga fshati Gomsiqe, që nga policia është autor i dyshuar i ngjarjes. Të rinjtë kanë qënë në një lokal duke pirë në shoqërinë e njeri – tjetrit, kur ka lindur debati mes tyre dhe në një moment, 26 vjeçari ka marrë armën duke e qelluar Ndrecajn me pistolete në këmbë, duke e lënë të plagosur. Ai u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodres, ku pas ndërhyrjes së bluzave të bardha mësohet se ndodhet jashtë rreziku për jetën. Grupi hetimor ka kryer veprimet në vendngjarje, ku ka sekuestruar provat materiale të vlefshme që do shërbejnë për dokumentimin e plotë të autorësisë së kësaj ngjarjeje. Nga deklarimet e marra si dhe nga pamjet filmike të sekuestruara nga policia, rezulton se të dy këta shtetas janë shokë dhe kanë qënë të ulur në të njëjtën tavolinë në lokal. Nga ana e uniformave blu janë ngritur pika kontrolli në gjithë zonën dhe po punohet për kapjen e autorit të dyshuar te kësaj ngjarje. Policia ka bërë me dije se autori i kësaj ngjarje është me precedent penal, i dënuar më parë për “Armbajtje pa leje”.