Në skuadrën shkodrane nuk ka asnjë lëvizje. Opinioni sportiv vazhdon të jetë i interesuar për të rejat më të fundit rreth riorganizimit të Vllaznisë, por nga kampi kuqeblu nuk ka asnjë informacion në lidhje me këtë çështje. I vetmi lajm që u servir pak ditë më parë ishin takimet që drejtuesit e klubit, administratori Gjyrezi dhe drejtori sportiv Zeka paten me kontigjentin e futbollistëve shkodranë që mbyllën sezonin e kaluar. Një takim ky informues për të dy palët në lidhje me vazhdimësinë e bashkëpunimit në sezonin e ri futbollistik, por vetem kaq sepse në ditët në vazhdim ka vijuar të jetë e njëjtë. Në prononcimet jashtë kamerave, drejtuesit kuqeblu kanë pohuar se nuk janë vonë në lidhje me fillimin e përgatitjeve sepse me përjashtim të skuadrave që konkurojnë në Kupat e Europës, në këtë situatë jane të gjitha skuadrat e tjera të Superliges. Gjithsesi, arsyeja e këtij komenti ka të bëjë me atë që kanë qënë vetë drejtuesit e klubit Vllaznia që kanë deklaruar startin e përgatitjeve me fillimin e muajit korrik, por që realisht tek futbollistët kuqeblu nuk ka asnjë sinjal në këtë drejtim. Përpos kësaj, prej kohësh flitet për një analizë të sezonit të kaluar futbollistik me pjesëmarrjen e stafit teknik, drejtuesve të klubit, Bordit Mbikqyrës dhe kryetares së Bashkisë, por edhe kjo akoma nuk është zhvilluar. Një analizë kjo që pritet të sqarojë shumë gjëra në lidhje me vazhdimësinë e punës në radhët e skuadrës kuqeblu duke nisur që nga pozicioni i trajnerit Armando Cungu, i cili në prononcimet e tij mediatike ka kërkuar garancitë e tija në lidhje me mbështetjen që do të ketë skuadra që ai do të drejtojë për sezonin e ri, për të vijuar edhe më çështje të tjera, ku ai financiar mbetet më i rëndësishmi. E ndërkohë, që asnjëra prej tyre nuk ka gjetur akoma zgjidhjen e duhur në skuadër ka largime, jo vetem të kontigjentit të jabanxhinjëve, por edhe të atyre shkodranë. Përpos të riut Rubin Hebaj që zyrtarisht ka firmosur për skuadrën sllovene Domzhale, futbollistë të tjera si Çinari dhe Kalaja janë në të tilla tratativa dhe nuk është çudi që në ditët në vazhdim të bëhen publikë lajmet edhe për largimin e tyre.