Temperaturat e larta që kanë mbërthyer vendin dhe shfaqja e vatrave të zjarrit, mblodhi në një takim pune emergjencat civile të Shkodres. Në fokus ishte menaxhimi i situatës dhe shmangia e fatkeqësive, përballë rasteve të shtuara të zjarreve që sjell stina e veres. Shkodra si një qark me problematika sa i përket mjeteve të shërbimit zjarrfikës, detyroi prefektin Paulin Radovani ta nisë fjalën e tij me një porosi të qartë. Mjete të reja nuk mund të blejmë, por me ato që kemi të punojmë maksimalisht.
Radovani ironizoi edhe ankesat e shefit te zjarrefikesve Vau dejes i cili nje dite me pare tha se nuk ka fonde e as mjete ne ketë njësi vendore.
Për rastet që janë të pamenaxhueshme ai ofroi gatishmërinë e emergjencave civile në prefekturë, që në koordinimin me drejtorinë e përgjithshme të mund të sigurojnë mjete shtesë.
Takimi ka vijuar më pas me dyer të mbyllura ku në fokus të diskutimeve ishin edhe ndertimet pa leje, apo trafiku i rënduar e parkimet në shkelje me ligjin që vështiresojnë ndërhyrjet në raste emergjence. Për këtë u kërkua angazhim më i madh nga policia bashkiake dhe ajo e shtetit.