Pasi ka lënë pas një sezon të shkëlqyer në kampionatin kosovar me Flamurtarin e Prishtines, ku nga vendi i tetë i kategorisë së parë e kualifikoi në Superlige, tashmë për trajnerin shkodran Samuel Nikaj do të nisë një mision i ri. Nga Kosova ai është zhvendosur në qytetin e Krujës, aty ku do të drejtojë skuadrën vendase Kastrioti. Lajmi zyrtar vjen pikërisht nga drejtuesit e klubit krutan, të cilët në të njëjtën kohë janë shprehur shumë të kënaqur që bënë këtë zgjedhje. Nga sa bëhet e ditur në konkurence për të marrë drejtimin e Kastriotit kanë qënë edhe trajnerë të tjerë me emër, si ish dinamoviti Artan Mërgjyshi, apo edhe kroati Matko Djarmati, por që në fund presidenti krutan Alban Vogli ka vendosur që Kastriotin e këtij sezoni ta drejtojë shkodrani Samuel Nika. Kastrioti është një nga skuadrat me emër të futbollit shqiptar, ku për disa vite ka konkuruar me sukses në kategorinë Superiore, ndërkohë që aktualisht bën pjesë në kategorinë e parë, grupi A i veriut shqiptar. Me afrimin e një trajneri të tillë cilësor që sidomos në sezonet e fundit ka marrë vlerësime pozitive nga specialistët e futbollit shqiptar, krutanët e Kastriotit synojnë ngjitjen në Superiore. Për ta arritur një gjë të tillë, Nikaj ka nisur menjëherë nga puna për ndërtimin e skuadrës, ku krahas të tjerave ka piketuar edhe disa futbollistë shkodranë që luajnë me ekipe të tjera, të cilët jo shumë vite më parë ka pasur fatin t’i drejtojë me ekipet e Akademisë Vllaznia, madje duke u shpallur edhe kampion kombëtar. Duke qënë se kampionati i kategorisë së parë starton me datë 16 shtator, trajneri Nikaj ka vendosur që punën me skuadrën ta fillojë javën e ardhshme, ndërkohë që si pjesë e grupit “A” gjatë kampionatit do të ketë rastin të ballafaqohet edhe me ekipin e Vllaznisë “B” që drejtohet nga kolegu i tij Kraja.