Ata konsiderohen si shkaktar të një dëmi prej 11 milionë lekësh ndaj buxhetit të shtetit. Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e trajtimit të vlefshmërisë dhe ligjshmërisë të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore (AMTP).
Auditimi është kryer nga data 1 janar 2013 deri më datë 31 dhjetor 2016. Kallëzimet për shpërdorim detyre janë kryer ndaj shtetasve me iniciale B.Z dhe A.P, me detyrë ish-Drejtorë të Komisionit Vendor dhe R.N. e E.G. me detyrë ish specialistë në Komisionin Vendor.
Rastet e shkeljeve të konstatuara nga KLSH:
– Në 20 raste për sipërfaqen 186842 m2 nuk kanë kryer kallëzim penal në organet e drejtësisë, ndaj komisioneve të ndarjes tokës në fshat, të cilat ka tejkaluar kompetencat ligjore, duke ndarë tokë bujqësore më shumë se norma për frymë, me pasojë dëmtimin e rëndë të interesave të Shtetit;
– Në 8 raste për sipërfaqen 46046 m2 nuk kanë liruar dhe nuk e kanë kaluar në pronësi e posedim të Shtetit tokën bujqësore nga personat të cilët e përdorin në mënyrë të paligjshme;
– Në 6 raste për sipërfaqen 119825 m2 të rikonfirmimit të AMTP edhe pse përfituesit nuk kanë qenë banor në ish-kooperativën bujqësore me datë 01.08.1991, apo pa qenë punonjës në ish-NB me datë 01.10.1992, duke marrë vendime të pa mbështetur në prova dhe në ligj dhe në tejkalim të kompetencave ligjore, me pasojë dëmtimin e interesave të shtetit;
– Në 6 raste për sipërfaqen 22362 m2, me zë kadastral “PF”, tokë e cila nuk ka qenë objekt trajtimi nga ligji nr. 7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”, nga Komisioni Vendor nuk është vepruar me kalimin në pronësi e posedim të Shtetit të tokës nga personat të cilët e përdorin në mënyrë të paligjshme;
– Në 9 raste për sipërfaqen 1750 m2, me zë kadastral “Truall”, tokë e cila nuk ka qenë objekt trajtimi nga ligji për tokën, nga Komisioni Vendor nuk është vepruar me kalimin në pronësi e posedim të Shtetit të tokës nga personat të cilët e përdorin në mënyrë të paligjshme;
– Mos ushtrimi i kontrolleve të drejtpërdrejta, me nismën e vet, për tokat bujqësore të ish-Ndërmarrjeve Bujqësore dhe zonat me përparësi zhvillimin e turizmit për Qarkun e Lezhës,
në kundërshtim me ligjin nr. 9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, me VKM nr. 1269, datë 17.09.2008 “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, me VKM nr. 224, datë 19.02.2009 “Për procedurat e krijimit të Akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, si pasojë e korrigjimeve të kryera nga Komisioni Vendorë i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë”, me ligjin nr. 8485, datë 12.05.1999 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.