Nigeriani premton të bëjë më të mirën për një Vllazni ndryshe
Pasi ka firmosur më parë në zyrat e klubit të futbollit Vllaznia, madje ka konsumuar edhe një sence stervitore, Orelesi ka bërë prezantimin e parë me publikun. Pasi i ka uruar mirëserdhjen në Shkodër, zëdhënësi i shtypit Gjergj Kola ka bërë të ditur se Vllaznia është në pritje të ardhjes edhe të futbollistëve të tjerë cilësorë në gjirin e kuqebluve. Më pas, ka qënë vete futbollisti Nigerian që ka dhënë përshtypjet e para, tashmë si futbollist zyrtar i Vllaznisë.
Nuredin Orelesi (Futbollist)
“E pranova oferten me shumë kënaqësi. Po, jam shumë i kënaqur, jam krejt dakort me atë çfar më ofron Vllaznia. Kam kërkuar atë çfar kam dashtë dhe më është realizuar”.
Më pas, i pyetur nëse e njeh lojën e skuadrës kuqeblu, ai u përgjigj.
E kuptoj shumë mirë lojën e Vllaznisë, sepse kam luajtur kundër kësaj skuadre disa here. Ishte kjo arsyeja që kur më ftuan që të vij e pranova menjëherë ftesen me shumë kënaqësi.
Në lidhje me pozicionin ku ai është planifikuar të luajë në fushën e lojës si qëndërmbrojtës, ai tha:
Nuk është problem, sepse edhe në skuadrën time të mëparshme kam luajtur si mbrojtës, kështu që nuk besoj se do të më paraqesë problem sepse nuk ka ndonjë ndryshim të madh.
Më tej, duke iu referuar skuadrës dhe seancave të para si kuqeblu, ai tha se ndjehet mirë, sepse ka shumë shokë këtu dhe skuadra e ka pritur shumë mirë, pasi edhe për një pjese të mirë te lojtareve ka patur mundësi t’i njohë edhe më parë.
“Unë, që kur kam ardhë këtu kamë vënë re një pritje të ngrohtë, jo vetem e skuadrës, por edhe nga ana e tifozërisë. Kështu që besoj se në ditët në vazhdim marrëdhëniet tona do të jenë edhe shumë më të mira, gjithjë duke shpresuar se do t’i kënaqim në fushën e lojës”
Sipas tij, me këtë përbërje që ka aktualisht skuadra, si dhe me përforcime të tjera të mundshme, mendon se Vllaznia do të jetë më ndryshe se sa sezonin e kaluar.
“Është vetem fillimi, ne sapo kemi filluar përgatitjet dhe të shohim në ditët e ardhshme se çfar do të bëj trajneri edhe për ndonjë blerje tjetër të mundshme. Shpresoj që të bëjmë më të mirën.”
Në lidhje me vazhdimësinë, pasi ka luajtur më parë në Tiranë me Dinamon, pastaj me Skenderbun, por edhe në Ukrainë, ai thotë se dëshiron të vazhdojë më gjatë, por varet nga faktorë të tjerë. Për Orelesin është e qartë se luan për fanelen e një klubi legjende të futbollit shqiptar, dhe për këtë do të bëjë më të mirën. Ndërkohë që në mbyllje, edhe pse thotë se nuk i pëlqen të flasë përpara dhe të bëj premtime, shpreson që ta marrim skuadrën dhe ta ngrejmë në nivele më të larta.