Lame bën bilancin e katër viteve: U realizuan 144 mijë legalizime
Plot 144 mijë legalizime janë kryer në 4 vitet e fundit nga Agjencia e Legalizimeve, duke e përmbyllur këtë mision në masën 80 për qind. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit, Artan Lame teksa bëri një analizë të punës së institucionit që ai drejton, e cilësoi një histori suksesi procesin e legalizimit përgjatë katër viteve. Megjtihatë, ai paralajmwroi se institucioni do t’i nënshtrohet një ristrukturimi të plotë.
Mes të tjerash Lame pohoi se të gjithë punonjësit e ALUIZNI-t do t’i nënshtrohet testimit. Sipas tij, sfidat e 4-vjeçarit të ardhshëm nxjerrin në pah nevojën për të tërhequr burime njerëzore sa më të specializuara dhe me vullnet pune.
Sipas Lames, nga shitja e parcelës ndërtimore, kur trualli është me pronar u grumbulluan 4.8 miliard lekë, të cilat kanë shkuar për kompensimin e pronarëve të këtyre parcelave. Nga ky proces kanë përfituar mbi 15 mijë pronarë. Kreu i Legalizimeve veçoi një tjetër objektiv të ALUIZNI-t, atë të hipotekimit apo legalizimit të pallateve të braktisura nga pronarët që nga viti 1994. Sipas tij, është një nga çështjet më të vështira për shkak të kompleksitetit.