Armando Sadiku është bomberi i vetëm i kombëtares i grumbulluar për dy ndeshjet e radhës, por dje sulmuesi nuk është stërvitur për shkak të problemeve shëndetësore dhe në këto kushte vendin e tij mund t’a zeje një pykë e improvizuar. Sot futbollisti në konferencën për shtyp sqaron se deri të shtunën gjithçka mund të ndodhë, por në rastin më të keq Latifi është aty për t’a zëvendësuar.
26-vjeçari ka treguar edhe për marrëdhënien me ish-shokun e skuadrës te Lugano i cili luan me kombëtaren e Maqedonisë por që është me origjinë shqiptare, Ezgjan Alioskin. Sadiku shprehet se e ka ftuar Alioskin të festojë kur ai të shënojë gol në takimin që zhvillohet në Strumicë.
Për gjendjen shëndetësore
“Në këto momente nuk kam dalë në stërvitje, por besoj se deri të shtunën do të jem i gatshëm për trajnerin për të luajtur për ndeshjen. Unë jam këtu, jam gati. Sot jam ndjerë shumë mirë, do flas edhe me trajnerin, nesër do të dal në stërvitje e të shohim të shtunën ta vendosim të gjithë bashkë”.
Për sfidën me Lihtenshtejnin
“Sot nuk ka skuadra të vogla, e provuam para disa muajsh me Luksemburgun që e morëm lehtë dhe e humbëm. Duhet të marrim vetëm tre pikët, ky është objektivi jonë, që të shkojmë me moralin më të lartë në Maqedoni”.
Për situatën që po kalon aktualisht dhe formën te Legia
“Sa i përket Legias, nuk është se kam kaluar një situatë të vështirë unë, e kemi kaluar të gjithë si ekip, se për një muaj e gjysmë kemi bërë 15 ndeshje, kemi luajtur çdo tre ditë. E kaluam të gjithë si skuadër dhe besoj që tani mbaroi, kemi arritur tre fitore radhazi”.
Nëse do të vazhdojë të shënojë në ndeshjet e radhës me Kombëtaren
“Unë mundohem në çdo ndeshje të bëj më të mirën, sulmuesit në Kombëtare duan të bëjnë gola. Unë dua të bëj në çdo ndeshje. Nëse do të arrij, nuk e di. Por çdo ndeshje për mua është si një finale. Kur vi në Kombëtare jam në formë që 100% të ndihmoj ekipin”.
Kush mund ta zëvendësojë nëse mungon të shtunën
“Nuk kam folur me trajnerin për atë që mund të luajë, nuk e di, janë zgjedhjet e tij. Nuk e di se kë mund të ketë trajneri si opsion të dytë. Latifi? Mendoj që po, është lojtar shumë i mirë, e ka treguar veten në ndeshje të Europa Ligës, në ndeshje të rëndësishme. Pse jo, edhe Latifi mund ta bëjë sulmuesin”.
Nëse pëlqen më shumë të luajë në skemën më një sulmues apo me dy
“Varet edhe nga ndeshjet, rivalët, si mund të jetë ekipi dhe luhet edhe me një sulmues, se ne jemi kombëtare e vogël. Do të më pëlqente që të luaja edhe me një tjetër, e kam thënë edhe më parë, por megjithatë luaj edhe kështu. De Biazi preferonte të luante me një dhe unë e bëja vetëm repartin, kam dhënë edhe rezultate e nuk ka qenë problem”.
Për shanset në ndeshjen ndaj Maqedonisë
“Shanset dihen, që jemi më superior. Do shkojmë të fitojmë. Që me stadiumin, që na çuan në një të vogël se patën frikë se do mbushej me shqiptarë, e treguan direkt frikën.
Ne do shkojmë me kokën lart si skuadër e pjekur, e rritur, një grup që kemi disa vite që luajmë bashkë, do shkojmë të marrim tre pikët”.
Për bisedat me Alioskin
“E kam shumë shok, gati çdo ditë dëgjohemi në telefon. I kam thënë kur të bëj golin hajde festo me mua. Bëjmë shaka, kam pasur biseda dhe ai e pranon që ne jemi më të fortë se ata”.
Për nënvlerësimin e Maqedonisë, si në ndeshjen e parë
“Ajo ndeshje pati një ecuri të veçantë. Shënuam shpejt dhe pastaj u munduam ta menaxhonim. E kishim nën kontroll, një gabim i yni solli golin e tyre dhe pastaj loja ndryshoi. Gjatë gjithë lojës e kishim nën kontroll dhe pësuam.
Por në fund shënuam. Nuk është një ekip që them se jemi më të fortë se ata, është ekip me cilësi. Por unë mendoj dhe kam besim shumë te grupi, edhe mendoj që do të shkojmë atje dhe e vetmja gjë që duhet të marrim janë tri pikët”.