Në stërvitjen e fundit të Kombëtares para takimit me Lihtenshteinin, djemve ju është bërë një surprizë, ku ish-trajneri Gianni De Biasi është shfaqur përkrah teknikut të ri, Christian Panuccit. De Biasi ka thënë disa fjalë, ka shkëmbyer disa batuta dhe është takuar përzemërsisht me gjithë lojtarët, ku u prezantua dhe me lojtarët e rinj të thirrur nga Panucci. Në një intervistë për SuperSport, De Biasi është shprehur, “U takova me lojtarët, pasi kisha kohë pa i takuar. Ishte një ndjenjë e veçantë, kam punuar për shumë vite me ta, tani nuk u flas më për taktikë, u flas si mik. Ka përfunduar periudha ime, nis një epokë e re, jeta vazhdon. Unë mbetem tifoz i madh i kombëtares. Kam shumë besim te Panuçi, është një trajner shumë serioz dhe i përgatitur”. “E ardhmja ime? Jam ende në pritje, nuk ka ndryshim kombëtare apo klub, rëndësi ka që të jetë projekt i mirë”. I pyetur për parashikimin e tij për ndeshjen e nesërme, ai ka thënë se “Shqipëria fiton 3-0”. Një ndalesë De Biasi ka bërë edhe për largimin e Çikallesit nga tekniku i ri, “E njoh mirë, është djalë shumë i mirë. Kristian Panuçi ka marrë një vendim për të treguar se disiplina dhe rregullat janë shumë të rëndësishme. Më ka ardhur shumë keq, por jam i sigurt që shumë shpejt ata do të bisedojnë dhe do të sqarojnë gjithçka”. |