Mbi 12 orë operacion zhvilluan Emergjencat Civile në Shkodër për shuarjen e dy vatrave të zjarrit aktive në këtë qark, atë në Tarabosh dhe në Kodrat e Zef Janës.
Rreziku ishte i lartë për shkak se flakët përparonin drejt antenave të televizioneve, por edhe ish-repartit ushtarak në Bushat, ku gjatë ditës (1 shtator) pati edhe shpërthime të municioneve të vjetra.
Drejtori i Emergjencave Civile, Pëllumb Dani, pas kalimit të situatës emergjente bën një rezyme të situatës.
Ai thotë se ardhja e 6 mjeteve zjarrfikëse nga Drejtoria e Emergjencave civile dhe angazhimi i mbi 60 ushtarëve, punonjësve të repartit zjarrfikës, emergjencave dhe zonave të mbrojtura shmangu djegiet e shtëpive, apo pasoja të tjera me të rënda.
Pëllumb Dani: Kushtet e vështira të terrenit por dhe era e fortë bëri që, ato me një sakrifice tepër të madhe të ndërhynin e të shpëtonin antenat qoftë dhe repartin ushtarak që mund të digjej. Një polici u plagos por sot gjëndja e tij shëndetësore u normalizua”
Zjarret në pjesën më të madhe kanë qenë të qëllimshme, prandaj po punohet nga organet ligjzbatuese për identifikimin e autorëve.
Pëllumb Dani: Një situatë jo e zakontë por në raport me vitet e tjera këto vatra zjarri kanë qenë tepër intensive madje në disa raste të qëllimshme”
Dani pranon se nevojat për ndërhyrje janë të ngutshme, pasi Bashkitë kanë struktura jo efiçente dhe mjete të amortizuara.
Pëllumb Dani: Bashkitë kanë trashëguar një strukturë të amortizuar, qoftë në aspektin e logjistikës por dhe të resurseve të cilët kanë nevojë për trajnime. Aq më tepër zjarret e kësaj vere diktojnë nevojën për të riparë përmirësimin e ligjit dhe riorganizimin e strukturave në nivel qëndror e lokal”
Pritet që deri në fund të shtatorit të përfundohet bilanci i plotë i sipërfaqes së djegur dhe vlerës së demit financiar të shkaktuar, që emergjencat në Shkodër e përllogarisin tejet të lartë.
Në këtë qark këtë verë ka patur mbi 250 vatra zjarri aktive dhe pjesa me e madhe kane rezultuar në bashkinë Shkodër.