Astronautja amerikane Peggy Whitson është kthyer në Tokë nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, pasi kaloi më shumë kohë në hapësirë se çdo amerikan tjetër.
57-vjeçarja Whitson kaloi 665 ditë në hapësirë gjatë tre misioneve të ndryshme, ose rreth një vit dhe 10 muaj jashtë atmosferës së Tokës. Ajo është gruaja më e moshuar që ka shkuar në hapësirë.
Whitson, e cila është biokimiste, e filloi misionin e saj të tretë dhe të fundit në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës nëntorin e kaluar.
Gjatë misionit, ajo kreu disa ecje në hapësirë dhe është gruaja e parë që e komandon dy herë stacionin e hapësirës. Whitson zbriti në Tokë në Kazakistan, me një kapsulë ruse Soyuz.