Albert Bunjaki ka konfirmuar se do të largohet nga drejtimi i Kombëtares së Kosovës. Duket se po mbyllet epoka e teknikut kosovar në krye të përfaqësues pas tetë vitesh.
Bunjaki
“Ky mund të jetë fundi i një projekti me Federatën e Futbollit të Kosovës për të nisur ndoshta një tjetër. Po, unë do të largohem pas përfundimit të kualifikimeve për Kupën e Botës.
Pas ndeshjes me Finlandën, do të kem vetëm edhe dy ndeshje të tjera në krye të Kosovës”, tha fillimisht trajneri në konferencën e djeshme.
“Kontratën me Federatën e Kosovës e kam 2+2. Do të ulemi me FFK-në të zgjedhim se si do të mendojmë, ndoshta ka nevojë Federata për ndihmën time. Gjithmonë kam qenë në shërbim.
Dëshirë e imja dhe e lojtarëve është që t’i japim këtij vendi fitoren e parë. Në korrik 2018 më skadon kontrata. Federata ka hapësirë për ndryshime”, ka theksuar trajneri Bunjaki.
Për Finlandën
Ndërsa për ndeshjen e sotme ndaj Finlandës që do të luhet në Shkodër, trajneri Bunjaki thotë:
“Është afat shumë i shkurtër në mes të dy ndeshjeve. Mirëpo, i kemi bërë përgatitjet më të mira të mundshme, që të kemi performancë maksimale kundër një Finlande që është shumë më e mirë nga sa mendon opinioni i Kosovës.
Mendoj se vetë rezultati i lojës së fundit, pra fitorja e tyre ndaj Islandës, tregon se të gjitha skuadrat janë afër njëra-tjetrës. Presim të jetë një lojë shumë e fortë, ku do të vendosin detajet për fituesin e lojës.
Nëse ndonjëherë kemi pasur mbështetje, edhe pse gjithmonë e kemi pasur atë nga tifozët, në këtë moment këta lojtarë kanë nevojë për përkrahje, jemi shumë të kufizuar në aspektin kohor.
Sidoqoftë, e kemi bërë përgatitjen më të mirë të mundshme për një performancë maksimale”, tha ndër të tjera Bunjaki në konferencën e djeshme për shtyp.