Të shtunën më 9 shtator nis legjislatura e 9 e Kuvendit të Shqipërisë e dalë pas zgjedhjeve të 25 qershorit.
Pas dekretit nga Presidenti i Republikës të datës 29 gusht për thirrjen e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, sekretaria e parlamentit, njofton se seanca e parë do të mbahet më datën 9 shtator, ora 10:00.
Direkt pas mbledhjes, Kuvendi do të zgjedhë Këshillin e Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve i cili përbëhet nga 9 deputetë që do të shqyrtojnë dokumentacionin e çdo deputeti.
Deputetët që do të përbëjnë Këshillin e Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve propozohen nga grupet parlamentare dhe zgjidhen me 71 vota.
Brenda dy ditësh, Këshilli duhet të dorëzojë në Kuvend raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve.
Mësohet se ky këshill do e bëjë këtë raport brenda ditës së shtunë dhe më pas në po këtë ditë në orën 18:00, seanca parlamentar do të mblidhet sërish që deputetët e rinj të bëjnë betimin e tyre.
Në seancën e pasditesh do të zgjidhet edhe kreu i ri i Kuvendit, ku deri tani ka vetëm një propozim dhe ai është Gramoz Ruçi.
Zgjedhja e kryetarit të kuvendit bëhet pa debat.
Në seancën e orës 10:00, me propozim të drejtuesit të seancës, i cili parashikohet të jetë deputeti më i vjetër në moshë, caktohen 3 deputetët më të rinj të kuvendit si sekretarë të tij deri në ngritjen e Byrosë.
Deputeti më i vjetër në moshë është Sali Berisha, dhe nëse ai nuk pranon të hapë legjislaturën siç ndodhi edhe 4 vite më parë, deputeti më i vjetër pas zotit Berisha, është deputeti i opozitës Tritan Shehu.
Në këtë sesion të ri parlamentar, Partia Socialiste ka 74 mandate dhe drejton e vetme qeverinë.
Partia Demokratike është forca e dytë politike, por e para në opozitë, në këtë sesion parlamentar ka 43 mandate, LSI në opozitë gjithashtu ka 19 mandate, PDIU 3 mandate dhe PSD 1 mandat.