Vllaznia është një nga klubet më me traditë në Shqipëri. Prej saj kanë dalë disa prej figurave më të mëdha të sportit tonë dhe prej klubit shkodran kanë dalë edhe futbollistë të mëdhenj, si Bizi, Zhega, Rragami, Zmijani etj që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit tonë, lojtarë të mëdhenj që kanë përcuar emocione tek brezat e ndryshëm dhe i kanë dhënë emër të madh Vllaznisë.
“Po sot më thuaj si je…?”, një varg i famshëm i Rilindjes tonë, i Pashko Vasës, i shkon për shtat Vllaznisë, pasi, edhe pse është përpjekur të krijojë një skuadër të denjë, i mungojnë emra e mëdhenj që ta cojnë drejt titullit kampion. Edhe pse trajneri Armando Cungu ka bërë maksimumin e tij për ta mbajtur Vllazninë në Superiore dhe për ta nderuar emrin e saj, politikat e mbrapshta të bashkisë, e paaftë të gjejë sponsor që të forcojnë skuadrën e ta kthejnë atë si një pretendente për titull, e kanë cuar ekipin shkodran në këtë derexhe, ku që në fillim të sezonit Vllaznia nuk llogaritet sinjë skuadër pretendente, por si një skuadër që hyn në garë për mbijetesë në Superiore.
Shkodra dhe publiku i saj sportdashës nuk e meriton këtë, por, pavarësisht kësaj, Vllaznisë nuk do t’i mungojë asnjëherë mbështetja e tifozëve të saj kuqeblu. Skuadra e Cungut do ta hapë sezonin e ri në Fier, ditën e dielë, pikërisht përballë skuadrës së Lushnjës, e cila këtë sezon është rikthyer në Superiore. Ndeshja luhet në Fier për shkak se fusha e stadiumit të Lushnjës po rikonstruktohet.Pamflet.com/